Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se platforma “Deputeti që Duam” është një derë e re e Partisë Socialiste ku kushdo mund të trokasë pa ndërmjetës.
Gjatë mbledhjes së Kongresit Zgjedhor të PS-së, Rama u ndal te eksperienca e parë e platformës digjitale “Deputeti që Duam”, e cila u bë publike nga Partia Socialiste si një ftesë e hapur përpara zgjedhjeve të shkuara.
Kryeministri theksoi se kjo platformë ka shërbyer si bazë për zhvillimin e platformës së re.
“Në ditët në vijim, platforma është e përdorshme për të gjithë të interesuarit. E gjithë kjo periudhë kohe përpara shpalljes së formacionit kombëtar të deputetëve të mandatit të katërt, në prag të zgjedhjeve të ardhshme do të shërbejë për t’u dhënë aplikantëve mundësinë të organizojnë aktivitetin e tyre pranë strukturave të partisë ose jo. Ata do të kenë të gjithë kohën për të treguar aftësitë e tyre duke komunikuar, duke krijuar mbështetje, ndërtuar profilin e nevojshëm konkurues në komunitetet dhe grupet përkatëse si dhe në rrjetet sociale”, shtoi Rama.
Kryeministri theksoi se “sistemi i korrigjuar, në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, krijon dhe më shumë konkurrencë dhe u jep grave e vajzave po ashtu, një hapësirë të plotë konkurrimi mes tyre, pavarësisht pozicionit të tyre fillestar në listë”.
“Inkurajoj gratë dhe vajzat të konkurrojnë. Absolutisht asgjë, nuk është njësoj si dje dhe nuk janë të gjithë njësoj. Sepse po të ishin të gjithë njësoj, edhe Shqipëria do të ishte po njësoj. Por sepse ne jemi ndryshe edhe Shqipëria është ndryshe”, tha ai.
Rama tha se nuk i siguron dot të gjithë ata që do t’i drejtohen kësaj platforme se do bëhen deputetë, por siguroi që nëse dikush ka dëshirë të angazhohet të merret me politikë nuk ka asnjë derë tjetër që bën punë.
“Pazari i politikës ka plot dyqane por Partia Socialiste është e vetmja derë ku kush do të hedhë një hap për t’u angazhuar, e ka një mundësi reale. Jo sepse Partia Socialiste është një shtëpi pa probleme, nuk e them dot, kemi plot probleme dhe ne, jo se në Partinë Socialiste nuk ka njerëz që tjetër thonë në sy dhe tjetër të bëjnë pas kurrizit, as këtë nuk e them dot. I kam njohur dhe vetë të tillë të paudhë, madje aq të paudhë sa cilido do të habitej po të tregoja se çfarë më thoshin në sy dhe se çfarë më bënin pas shpine dhe kur kanë arritur të ngjiten, po jo vetëm të ngjiten por edhe të më ngjiten edhe mua këtu ku sidoqoftë është lart, merreni me mend sesa nga këta ka më poshtë, deri aty ku këta njerëz të cilëve po u drejtohem duhet të nisin rrugëve”, shtoi ai.
Por kryeministri garantoi se Partia Socialiste është e vetmja rrugë për çdo të ri e të re që dëshiron të merret me politikë.
Parti që thonë fjalë tërheqëse për si duhet të jetë Shqipëria dhe që nëpërmjet lloj lloj firaunësh derdhin lotë krokodili ditë-natë për shqiptarët duke premtuar që tua bëjnë detin kos, gjejnë kollaj por parti që bën punë të mira dhe derdh përditë energji ndërtimtare për Shqipëri ka vetëm një, Partia Socialiste e Shqipërisë”, theksoi ai./ata