Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi reagoi sot pasi disa qytetarë me karta identiteti të skaduara nuk janë lejuar që të votojnë në qendrën e votimit në Himarë fshat.
Celibashi solli në vëmendje se KQZ nuk është organi kompetent për shtyrjen e afateve të vlefshmërisë të dokumenteve të identifikimit.
“Për zgjedhësit mbi 75 vjeç vlefshmëria e dokumenteve të identifikimit është pa afat. Kështu përcaktohet në ligjit nr. 89/2020, datë 09/07/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, i ndryshuar””, thekson Celibashi në një reagim në rrjetet sociale.
Kryetari i qendrës së votimit është shprehur në një prononcim për mediet se “në Himarë fshat ka shumë persona që janë me karta të skaduara dhe insistojnë që të votojnë, ndërkohë që ligji nuk e lejon. Nga kjo çështje është krijuar një konfuz ku kemi njoftuar KQZ që të vijë dhe të zgjidhë këtë ngërçin. Ligji e thotë qartë që me kartat e skaduara nuk mund të votojë asnjë person. Edhe pasaporta të mos ketë skaduar si afat. Komisionerët në bazë të ligjit kanë të drejtë për ta pezulluar për të zgjidhur çështjen”.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Omonia në Himarë, e cila shprehet se kartat u dhanë në mënyrë selektive.
“Që me nisjen e procesit zgjedhor në Bashkinë Himarë, me insistimin e komisionerëve të Partisë Socialiste, dhjetëra zgjedhësve u refuzohet e drejta e votimit me pretendimin e dokumenteve të identifikimit të skaduara. Në kundërshtim me praktikat e aplikuara në proceset e mëparshme zgjedhore, Kryeministri Rama refuzoi të nxjerrë aktet përkatëse ligjore që do të garantonin të drejtën e votës për të gjithë zgjedhësit. Kompania shtetërore e prodhimit të kartave të identitetit, ishte vënë gjatë ditëve të fundit në shërbim të Partisë Socialiste, duke u shërbyer qytetarëve në mënyrë selektive. Anëtarëve të PS u rinovoheshin dokumentet në mënyrë të organizuar brenda 24 orëve, ndërsa qytetarëve të tjerë u kërkohej të paraqiteshin pas 15 ditësh. Në total, nga 23074 zgjedhës të regjistruar, 6157 janë apriori të privuar nga e drejta e zgjedhjes me vendim dhe përgjegjësi të Qeverisë Rama,” thuhet në reagimin e Omonoia Dega Himarë./ata