Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi reagoi sot pasi disa qytetarë me ID të skaduar nuk u lejuan të votojnë në një qendër votimi në Himarë.
Blushi u shpreh se, “mohimi i së drejtës kushtetuese të votimit për 6157 qytetarë të Himarës është pjesë e operacionit për të tjetërsuar vullnetin e himariotëve”.
Sipas tij, “në kundërshtim flagrant me praktikat e aplikuara në proceset e mëparshme zgjedhore, ku qytetarët me karta identiteti të skaduara janë lejuar të votojnë, me urdhër direkt të Edi Ramës kësaj here është penguar qëllimisht nxjerrja e akteve përkatëse ligjore për të garantuar të drejtën e votës për të gjithë zgjedhësit”.
Blushi gjithashtu akuzoi edhe SPAK se nuk ka bërë asnjë reagim për të ndaluar manipulimin e zgjedhjeve.
“Më e rëndë është fakti se pjesë e këtij operacioni mafioz është bërë edhe SPAK që nuk ka bërë asnjë reagim për të ndaluar manipulimin e zgjedhjeve pavarësisht denoncimeve konkrete, përkundrazi i ka hapur rrugën Edi Ramës për të tjetërsuar dhe grabitur votat, siç rrëmbeu një vit më parë, dy ditë para zgjedhjeve, Kryetarin e zgjedhur Fredi Beleri”, nënvizoi Blushi.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi reagoi më herët duke theksuar se KQZ nuk është organi kompetent për shtyrjen e afateve të vlefshmërisë të dokumenteve të identifikimit./ata