Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një takim falënderues për rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit me banorë të Matit e Klosit, u shpreh se një theks të veçantë fitores së PS-së i kanë dhënë edhe votuesit e djathtë.

 

“Bëhet fjalë për ata që në mbi 30 vite nuk kanë votuar kurrë për PS-në më parë. Kam dëgjuar se ka pasur shumë njerëz të njohur në komunitetet tuaja për përkatësinë e tyre djathtas, të cilët janë rreshtuar edhe publikisht në vite me kandidatët që dolën të humbur në këto zgjedhje dhe që e kanë shprehur hapur se do të votojnë ndryshe. E njëjta gjë vlen në Bulqizë ku ishte bërë zakon të mendohej se ishte një vend muskujsh e burrash por ku fitoi një grua”, tha Rama.

 

Kjo, sipas tij, provoi se në këto komunitete njerëzit nuk janë aspak ndryshe nga çdo komunitet tjetër, por e dinë shumë mirë se çfarë duan dhe kush mund t’i shërbejë më mirë.

 

Rama tha se “edhe Klosin e fitoi një grua që i ka shërbyer përulësisht komunitetit në shumë vite”.

 

“Historia e këtyre zgjedhjeve është histori e jashtëzakonshme ndryshimi. Tani dy vendet më të karakterizuara nga mustaqet imagjinare do t’i drejtojnë dy gra. Jam i bindur se nën drejtimin e tyre edhe Klosi, edhe Bulqiza do të jenë në pararojë të ndryshimeve në komunitetet e tyre”, shtoi Rama.

 

Kryeministri falënderoi pa i ndarë në majtas e djathtas.

 

“Falënderoj edhe ata që nuk dolën në votime sepse duke mos qenë në gjendje të votonin PS-në, nuk bënë as tjetrën, nuk e ngarkuan traditën e tyre të djathtë me turpin e një vote me ‘Bashkë fitojmë’ për Like floririn. Ata i kanë hequr shumë, shumë vota atyre që dolën për t’i tërhequr zvarrë pas berihajit të problemeve të tyre, ndaj kontribuan realisht në këtë rezultat”, tha Rama.

 

Kryeministri u shpreh se ky nuk është një rezultat i mirë për PS-në, por është një rezultat i jashtëzakonshëm për Shqipërinë.

 

“Tani duhet që atë përmbysje ngjyrash në hartë ta kthejmë në një përmbysje në mendësi, ekonomi dhe në gjithë aspektet e jetës, në mënyrë që Shqipëria të mos funksionojë më mavi ose blu, por gjithmonë kuqezi, duke bërë zgjedhjen për ata që e bëjnë më mirë punën dhe jo duke shkuar në votime me symbyllur si tifozë”, tha Rama.

 

Kryeministri theksoi se “kjo që ka ndodhur është një sfidë shumë e madhe, pasi me votën e dhënë na kanë sfiduar të gjitha bashkitë tradicionalisht të djathta”.

 

“E kanë bërë duke na hedhur dorashkën që t’i provojmë që vota për ne vlen dhe me votë ne mund të sjellim ndryshimin që nuk e sollën ata që i votuan në 30 vjet. Ne do bëjmë çmos ta fitojmë këtë sfidë”, tha Rama.

 

Kryeministri garantoi se do të çohet në një nivel tjetër marrëdhënia me njerëzit.

 

“Kur themi se kanë votuar shumë të djathtë ne nuk e dimë se kush janë ata, përveç atyre që e kanë shprehur hapur. Asnjë i djathtë nuk duhet paragjykuar, prandaj duhen trajtuar të gjithë me maksimumin e respektit. Do marrim iniciativa konkrete për të bërë bashki më të hapura dhe për të krijuar edhe një ndjenjë më të fortë komuniteti”, shtoi ai.