Partia e Lirisë mbështet protestën “Për identitet dhe dinjitet” të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Presidenti i PL, Ilir Meta u shpreh sot se PL solidarizohet me kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për respektimin e plotë të lirive dhe të drejtave themelore individuale dhe kolektive.
Meta bëri thirrje që Serbia sa më parë të respektojë detyrimet që rrjedhin nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Minoriteteve.
“Serbia sa më parë të respektojë detyrimet që rrjedhin nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Minoriteteve, si dhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre shekullore”, theksoi Meta.
Qindra shqiptarë nga Lugina e Preshevës, në jug të Serbisë, marshuan të hënën kundër diskriminimit dhe në kërkim të barazisë dhe të drejtave të tyre në Serbi.
Kjo është protesta e dytë e shqiptarëve të Luginës në dy muajt e fundit, pas asaj në Bujanoc në gusht.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.
Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi./ata