Urdhri i Mjekut ka dalë kundër ligjit të UMSH, i cili përcakton orarin për mjekët që punojnë në sektorin publik dhe atë privat njëkohësisht, por edhe disa risi të tjera.

Sipas UMSH, ndonëse ndryshimet tashmë kanë kaluar në kuvend, asnjë përfaqësues i tyre nuk është thirrur për konsultime për të diskutuar rreth ndryshimeve.

“Ne si përfaqësues të ligjshëm të mjekëve dhe palë e interesuar direkt pritëm dhe kërkuam të thirreshim në diskutimin në detaje nen për nen të ndonjë drafti që do të ndryshonte Ligjin e sipërcituar (siç ka ndodhur më parë në hartimin dhe përmirësimin në tre ligjet e bëra për UMSH nga Kuvendi i Shqipërisë)", shkruhet në reagim.

Mes të tjerash, UMSH është kundër ndryshimeve për Miratimi i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, i cili tashmë do të bëhet nga Ministria e Shëndetësisë dhe jo më nga Urdhri i Mjekut.

"Me ndryshimet e reja ligjore, UMSH nga edukues kthehet në ndëshkues, nga ent publik jo buxhetor i pavarur profesional kthehet në një shtojcë apo department të Ministrisë së linjës. Miratimi i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore bëhet nga Ministria e linjës, përbërja, organizimi dhe funksionimi i komisionit të disiplinës dhe komisionit të apelimit rregullohet me vendim të këshillit të ministrave. Siç shihet, pavarësia humbet plotësisht, nuk ka asnjë element të vetrregullimit apo të vetqeverisjes profesionale siç i kemi patur në përputhje me ligjin dhe tiparet e homologëve ndërkombëtar”.

Për këto arsye Urdhri i Mjekëve i kërkon Kuvendit, Presidentit dhe Qeverisë të rishikohet ky akt normativ dhe përfaqësuesit e tij të jenë pjesë e konsultimeve për të bërë një ligj të ri për UMSH./OraNews