Partia Demokratike është solidarizuar me shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët protestuan kundër shtypjes dhe diskriminimit që, sipas tyre, po ushtrohet ndaj tyre nga autoritetet e Serbisë.
Sipas PD-së, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë sot qytetarët më të shtypur dhe të diskriminuar në Europë.
“Ata vuajnë egërsinë e racizmit të regjimit të Beogradit ndaj tyre që bënë gjithçka për largimin e tyre nga trojet e tyre shekullore”, thekson PD në një deklaratë për shtyp.
Partia Demokratike e Shqipërisë thotë se mbështet plotësisht kërkesat e drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për Dinjitet dhe Identitet dhe i bën thirrje autoriteteve të Beogradit të respektojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Konventa Europiane e të Drejtave të Minoriteteve që Serbia ka firmosur dhe të ndalojë çdo formë diskriminimi të shqiptarëve në trojet e tyre shekullore të Luginës së Preshevës.
Protesta, e cila u mbajt në Bujanoc, u thirr nga Këshilli Kombëtar Shqiptar i Luginës së Preshevës, ku morën pjesë shqiptarë nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.
“Kthema adresën”, “Duam libra shqip”, “Dija nuk nostrifikohet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”, ishin disa nga mesazhet e protestuesve që mbanin gjatë protestës./ata