Një nga anijet e ngarkuara me mbetje toksike në Portin e Durrësit vazhdon të jetë e zhdukur nga shërbimet e gjurmimit duke e shtuar misterin për vendndodhjen e saj.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputeti demokrat Tritan Shehu.
"E madhe është shuma e paguar për të nxjerrë lëndën toksike nga Durrësi, për atë krim ambiental e trafik ndërkombëtar.
100 kontenierë pa “zot”, sikur të ishin një gjilpërë në kashtë. 100 kontenierë me mbetje toksike dalin me dy anije nga porti i Durrësit dhe asnjë nuk i del për zot, asnjë nuk ka parë asgjë, nuk ka dëgjuar asgjë.
Askush nuk e ka futur lëndën toksike në kontenierë, askush nuk i ka depozituar ata, askush nuk i ka ngarkuar kontenierët në anijet… Askush nuk ka kontrolluar a verifikuar mallin siç janë rregullat.
Sikur të flitet këtu për një gjilpërë në kashtë dhe jo për dy anije të ngarkuara me volume e peshë të tilla malli kriminal.
Kjo nuk bëhet pa dijeninë dhe përfshirjen e autoriteteve të larta shtetërore, pa përfshirjen e shumë institucioneve shtetërore.
Duke qenë koshient për tregun e zi të mbetjeve toksike, shumave gjigante që qarkullojnë rreth tij, është e qartë përfshirja e gjerë dhe e lartë në këtë vepër kriminale, trafik ky që të jeni të bindur se nuk është sporadik.
Sigurisht është pjesë e një linje të tillë ndërkombëtare mafioze me “eksperiencë” e CV të gjatë. Të gjitha institucionet e hetimit duhet ta ndjekin këtë krim në bashkëpunim me ato ndërkombëtare.
Drejtuesit e institucioneve përgjegjëse në port e më gjerë duhet të vendosen nën hetim. Ministri i linjës, i transporteve, duhet të japë dorëheqjen! Kështu do të veprohej në çdo vend demokratik", thekson Shehu./OraNews