Dy mundësit Islam Dudaev dhe Chermen Veliev, të cilët garuan për Shqipërinë në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’, dhe u futën në historinë e sportit shqiptarë, pasi për herë të parë ia dolën që t’i sjellin vendin tonë, medaljet e para Olimpike, do të shpërblehen nga qeveria. Qeveria ka miratuar 14.7 milionë lekë të reja shpërblim për sportistët fitues të medaljeve olimpike me rezultatet të larta si dhe të trajnerëve të tyre, pjesëmarrës në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. 

Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare, ku theksohej se “programit buxhetor ‘Për zhvillimin e sportit’, i shtohet fondi prej 14 700 000 (katërmbëdhjetë milionë e shtatëqind mijë) lekësh për shpërblimin e sportistëve fitues të medaljeve olimpike dhe me rezultate të larta, si dhe të trajnerëve të tyre, pjesëmarrës në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’.

Shpërblimi do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Vendimi është marrë më 12 gusht me firmë të kryeministrit Edi Rama. Siç parashikohet në ligjin e sportit të miratuar në vitin 2021, medalistët me medalje bronzi shpërblehen me 5 milionë lekë të reja dhe do të marrin dhe gradën kolonel.

Ecuria e Shqipërisë në Lojërat Olimpike “Paris 2024” 

Më 10 gusht Chermen Valiev shkroi historinë në Paris 2024. Ai fitoi medaljen e parë për Shqipërinë në historinë e Lojërave Olimpike, duke mposhtur me rezultatin 6-2 në finalen për medaljen e bronztë Viktor Rassadin nga Taxhikistani, në stilin e lirë në mundje në peshën deri në 74 kg.

Një medalje e dytë iu ofrua Shqipërisë nga mundësi Islam Dudaev i cili mundi numrin një të botës në peshën 65 kg, Iszmail Muszukajev.

Veç dy sportistëve që i dhuruan medalje vendit tonë, pjesë e këtij eventi ishin edhe gjashtë sportistë të tjerë që nuk mundën të siguronin medalje. Manjola Konini në qitje, Luiza Gega dhe Franko Burraj në atletikë, Grisi Koxhaku e Kaltra Meça në not, si edhe rusi i tretë i natyralizuar si shqiptar, mundësi Zelimkhan Abakarov./Shqiptarja