Enkeljed Alibeaj ka ankimuar dje në KAS vendimin e KQZ, për mosregjistrimin e PD si subjektit zgjedhor.
Ky ankimim vjen pasi sipas grupimit të Alibeajt, arsyeja se përse PD nuk është regjistruar për zgjedhjet e 14 majit, është bërë për dy arsyet e mëposhtme.
Së pari sepse “autorizimi ka ‘gabime drejtshkrimore’, sepse formulimi nuk duhet të ishte ‘për regjistrimin në zgjedhjet e përgjithshme vendore të vitit 2023, sipas datës së caktuar me Dekret të Presidentit të Republikës’, por sipas tij duhet të ishte “për regjistrimin në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 14 maj 2023”.
Dhe së dyti sepse “deklarata e angazhimit solemn është një akt i patransferueshëm, apo i padelegueshëm tek të tretët, sepse është një akt individual i personit dhe akt ekskluziv i kryetarit të partisë, i cili mban përgjegjësi përpara ligjit për mospërmbushjen e asaj përgjegjësie”.
PD e Alibeajt shprehet se “në këtë kuptim, rrëmuja e krijuar me dashje nga Komisioneri, bën që KQZ të shërbej më shumë si zyrë propagande, sesa si zyrë e administrimit të zgjedhjeve”.
Ata thonë se nuk ka “cënim më të rëndë për zgjedhjet sesa shndërrimi i KQZ-së në zyrë propagande dhe perceptimesh politike”.
“Për më tepër, Komisioneri vendosi publikisht afat 48 orë, por në skadim të këtij afati doli po publikisht dhe pohoi që afati skadon në 12 të natës (60 orë). Në fakt, afati ka skaduar në orën 10 të mëngjesit, orë në të cilën Ilirjan Celibashi kishte detyrimin për të marrë vendimin përfundimtar. U fsheh, në pritje që vendimet e tij ti marrin të tjerët. Përgjegjësia ligjore kërkonte të mos fshihej pas KAS, duke mos ushtruar me dashje detyrën dhe duke u përpjekur ti qëndrojë besnik qokave politike që ka marrë përsipër”, deklarojnë deputetët e grupit të Alibeajt.