Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë këtë të hënë në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të zyrtarizohet emërimi i Kamala Harris si kandidate presidenciale për zgjedhjet e nëntorit në ShBA.
Pos Kurtit, në konventë do të jenë të pranishëm anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alush Gashi dhe sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj.
Më 13 gusht, ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se Kurti do të udhëtojë drejt ShBA-së jo me ftesë të Qeverisë së ShBA-së, por me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI).
“Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane. Partia Demokratike është një parti politike në Shtetet e Bashkuara. NDI-ja është krah i Partisë Demokratike që punon në ndërtimin e partive dhe institucioneve demokratike jashtë vendit”, theksoi Hovenier.
Hovenier shtoi se Kurti është ftuar në këtë aktivitet njëjtë siç janë ftuar edhe liderë të tjerë të partive politike në Kosovë.
“Pra, kryeministri është ftuar nga NDI-ja, besoj në cilësinë e tij si kryetar i një prej partive të Kosovës, ashtu siç NDI-ja i ka ftuar edhe kryetarët e partive tjera të Kosovës. Por, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane”, pati shpjeguar diplomati amerikan.
Konventa Kombëtare e demokratëve nis më 19 gusht në Çikago, më pak se një muaj pas largimit të pritur të presidentit aktual, Joe Biden, nga gara presidenciale.
Kjo ngjarje, që do të shfaqet nëpër televizione, i ofron mundësinë nënpresidentes Kamala Harris, tashmë e konfirmuar si e nominuara e demokratëve për president, që t’i prezantojë qëndrimet e veta para një audience kombëtare.
Në të njëjtën kohë, jashtë sallës së Konventës pritet të mbahen protesta masive, me qëllim sfidimin e liderëve partiakë rreth ndihmës ushtarake amerikane për Izraelin./Albanianpost