Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte sot i ftuar në “Podcastin e Lirisë”, ku foli për jetën e tij politike.

Nga kampingu veror i të rinjve të PL në Jalë, Meta gjithashtu dha edhe mesazhe për rininë.

Meta tha se, brezi i ri duhet të shkundet për të qenë i ndërgjegjshëm.

“Duhet ndihmuar që të shkundet brezi i ri për të qenë i ndërgjegjshëm. Nëse nuk shkundet tani dhe nëse nuk organizohet tani e humbet vendin njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Meta.

Meta tregoi edhe historinë si u bë deputet në zgjedhjet e vitit 1992.

“Unë nuk kam dashur të merrem me politikë, ka qenë diçka spontane. Ëndrra ime ishte të bëhesha pedagog, por ashtu ndodhi. Në mars 1992, PD ishte në revansh të papërmbajtshëm, PS ishte në zbaticë të frikshme dhe nuk i pranonte njeri për të kandiduar për deputetë. M’u lutën me 700 manovra, më bënë edhe një kurth mund ta themi dhe unë u vendosa kandidat në Skrapar. Kjo është një arritje ime”, tha ai.

“Një tjetër arritje ishte që unë krijova LSI, sepse PS e kishte bllokuar integrimin dhe unë vendosa një bast të fortë. Edhe pse kisha një parti të re nuk e vendosa veten time në listë, por thashë unë jam nën mazhoritar dhe nëse populli i Skraparit nuk më voton nën mazhoritar nuk kam pse shkoj në Parlament. Fitorja në Skrapar ishte bindëse dhe ishte një fitore personale”, theksoi ai.

“Jam edhe nënshkrues i Kartës së Adriatikut që ishte programi si Shqipëria do hynte në NATO dhe Shqipëria hyri në NATO”, tha ndër të tjera Meta./ata