Është hapur me një ceremoni klasa e kodimit robotik, e mundësuar nga Delegacioni Përfaqësues i Türkiyes që shërben në kuadër të Forcës Paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), në Shkollën e Mesme të Lartë Teknike “Arkitekt Sinani” në qytetin e Mitrovicës së Jugut.

Në ceremoninë e hapjes së shkollës morën pjesë ambasadori i Türkiyes në Prishtinë, Sabri Tunç Angılı, nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri dhe shefi i delegacionit turk, kolonel Zafer Sağlam, si dhe përfaqësues të institucioneve turke që punojnë në vend, mësues dhe nxënës.

Në fjalën e tij këtu, ambasadori Angılı tha se investimi i bërë në rini dhe arsim, në fakt bëhet për të ardhmen.

Duke thënë se duan të vazhdojnë të kontribuojnë për të ardhmen e Kosovës, Angılı shtoi se ishte e përshtatshme që në shkollën me emrin “Arkitekt Sinani” të hapej një klasë e kodimit robotik.

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës Tahiri e cilësoi hapjen e klasës së robotikës si një histori suksesi.

“Duke falënderuar ambasadorin, dëshiroj të falënderoj gjithë popullin turk, taksapaguesit e shtetit turk, për këtë projekt të suksesshëm, si dhe për mbështetjen e dhënë për shtetin e Kosovës prej pasluftës e deri më sot”, theksoi ai.

Kryetari i Delegacionit Përfaqësues të Türkiyes, Sağlam, tha se përveç operacionit për mbështetjen e paqes në Kosovë, ata kanë realizuar shumë projekte që prekin jetën shoqërore dhe do të vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Pas fjalimeve, të ftuarit prenë shiritin e hapjes së klasës së kodimit robotik dhe panë rezultatet nga afër.

Shkolla teknike, e cila filloi punën në vitin 1946, prej vitit 1992 shërben me emrin “Arkitekt Sinani”.

KFOR-i Turk që nga viti 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, ka realizuar 375 projekte në fusha të ndryshme në mbarë vendin, derisa nesër do të hapë një klasë të ngjashme në shkollën e mesme shkencore "Xhavit Ahmeti" në qytetin e Gjilanit./aa