Komuna e Nagasakit në Japoni ka marrë më shumë se 2.000 mesazhe mbështetëse pasi nuk e ftoi Izraelin në ceremoninë e përkujtimit të 79-vjetorit të bombardimit të qytetit.

Sipas Kyodo News, kreu i Komunës së Nagasakit, Shiro Suzuki vlerësoi reagimet që ata morën në lidhje me mosftesën e Izraelit në ceremoninë përkujtimore në një konferencë për media.

Suzuki tha se ata morën më shumë se 2.000 telefonata mbështetëse, e-maile dhe mesazhe në japonisht për shkak të këtij vendimi. Ai deklaroi se kanë marrë afërsisht 1.400 e-maile në anglisht ku kritikonin vendimin dhe ishte përdorur "i njëjti tekst".

 

- Izraeli nuk ishte i ftuar në ceremoninë përkujtimore

Izraeli nuk u ftua në ceremoninë përkujtimore më 9 gusht, në përvjetorin e sulmit amerikan ndaj Nagasakit me bombë atomike.

Suzuki tha se ata e morën këtë vendim nga shqetësimi se situata e rëndë humanitare në Rripin e Gazës dhe protestat publike në lidhje me sulmet mund të prishin ceremoninë përkujtimore.

Meqenëse Izraeli nuk ishte i ftuar në ceremoni, ambasadorët e Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, SHBA-së dhe Bashkimit Evropian nuk morën pjesë në ceremoni dhe këto vende përfaqësoheshin nga diplomatë jo të lartë.

 

- 79-vjetori i hedhjes së bombave atomike nga SHBA-ja në Hiroshimë dhe Nagasaki

SHBA-ja hodhi bombën e parë atomike në histori në Hiroshima më 6 gusht 1945 ndërsa 90 për qind e qytetit u shkatërrua dhe 80 mijë njerëz humbën jetën menjëherë. Tre ditë më vonë, një bombë atomike u hodh në Nagasaki dhe u deklarua se të paktën 40 mijë njerëz vdiqën menjëherë.

Vlerësohet se rreth 110 mijë njerëz, shumica dërmuese e të cilëve ishin civilë, humbën jetën si pasojë e pasojave të bombës atomike. Në muajt dhe vitet në vijim, vdekjet nga sëmundjet e lidhura me rrezatimin vazhduan në rajon./aa