Për herë të parë pas kaq shumë vitesh, pushteti vendor ka arritur rekord në uljen e detyrimeve të prapambetura, të cilat regjistron shifrën e 4.2 miliardë lekëve apo 42 milionë eurove në fund Qershori 2024. Detyrimi i vendosur nga qeveria për shlyerjen e stokut duket se po ecën në rrugën e duhur, pasi tashmë çdo bashki në vend nuk e arrin më vlerën prej 1 miliardë lekësh, që më parë ka qenë e zakonshme.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se në krahasim me Marsin 2024, reduktimi i detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve arrin në 1.3 miliardë lekë. Nga totali, afro 1.9  miliardë lekë janë detyrime të papaguara për investime publike, rreth 375 milionë lekë vendime të gjykatave dhe 1 miliardë lekë shpenzime të tjera.

Por a ka ndryshuar renditja e bashkive që kanë më shumë detyrime dhe cilat janë ato që kryesojnë? Referuar listës, vlera e borxheve që kanë bashkitë nuk lidhet domosdoshmërish me sipërfaqen e tyre apo numrin e popullsisë, përveç Bashkisë së Tiranës.

Konkretisht në vendin e parë renditet Bashkia Tiranë me 801 milionë lekë detyrime të papaguara, dhe që ka shënuar një progres të konsiderueshëm në shlyerjen e tyre, duke qenë se në fund të Marsit shifra regjistrohej në  1.17 miliardë lekë. Kryeqyteti ndiqet nga bashkia Kavajë me 769  milionë lekë borxhe, më pas renditet bashkia Vorë me 363 milionë lekë, ndjekur nga Bashkia Pogradec me 258 milionë lekë dhe Lezhë me 194 milionë lekë.

Ajo që vihet re është se nga top lista e 5 bashkive me më shumë detyrime ka zbritur Durrësi dhe ka hyrë Pogradeci. Dimali, Durrësi, Elbasani, Dibra dhe Cërriku pasojnë listën.

Ndërsa në fund të listës së bashkive sa i takon vlerës së borxheve renditen bashkitë Has, Korçë dhe Shijak.

Bashkitë kanë pasur si detyrim që të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave një plan të detajuar për shlyerjen e stokut të detyrimeve dhe ti përmbahen atij./Tema