Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin po shqyrton sot mocionin e 1/10 të deputetëve përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.
Në kërkesën e tyre deputetët e PD-së kërkojnë dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.
Sipas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, rezulton se deputeti Sinaj, nëpërmjet kompanive në pronësi të tij ka përfituar të ardhura nga buxheti i shtetit.
“Kemi verifikuar se deputeti Sinaj është pronar në 9 kompani, ku në 5 prej tyre është aksioner i drejtpërdrejt. Ne kemi verifikuar nëpërmjet shkresave zyrtare, në këtë rast Drejtorisë së Thesarit, se deputeti Vullnet Sinaj, nëpërmjet kompanive të tij në vetëm 9 transaksione që ne kemi evidentuar, mund të jene edhe shumë më shumë, ka përfituar nga buxheti i shtetit rreth 36 mijë euro”, tha Bardhi.
Në këto kushte, Bardhi theksoi se Sinaj është në shkelje të Kushtetutës.
“Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet, ka si detyrë vetëm verifikimin formal të procedurës. Pra, nëse janë firmat e kërkuara për mocionin. Është Gjykata Kushtetuese, organi i vetëm që e shqyrton çeshtjen në themel dhe mund të vendosë për këtë çështje”, tha Bardhi.
Ndërsa deputeti Vullnet Sinaj theksoi se “ka dhuruar 100 mijë euro në kohën e tërmetit”.
“Unë kam qenë biznesmen që hyra në politikë dhe nuk u bëra sipërmarrës pasi hyra në politikë. Unë kam 20 vjet që merrem me biznes. Ai biznesi që ju më thoni që është i mi, ka bërë atë sallën e operacioneve te Kardiologjia për fëmijët. Ndaj meje po bëhet një farsë e madhe, që nuk është as ligjore”, tha Sinaj.
Ai tha se në momentin që ka marrë mandatin e deputetit ka hequr dorë nga aksionet e tij në biznese.
Sinaj tha se nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit, përkundrazi është donator.
“Nuk kam marrë pjesë në asnjë tender, në asnjë koncension”, tha Sinaj.
Ndërkohë, teksa Bardhi përmendi vlerën e pretenduar të xhiros së kompanisë prej 3,6 milionë lekë, Çuçi i tha kreut të grupit të PD-së se nuk ka asnjë dokument që tregon se sa nga këto para janë përfituar nominalisht prej deputetit të PS-së.
“Kjo shumë (3,6 milionë) është shuma e faturave që janë marrë. Nëse do t’i referohemi kërkesës së mocionit, do duhej të dinim shumat që ka përfituar deputeti dhe kjo të mbështetej në dokumentacion. Domethënë nuk ka një dokument të qartë që kaq është shuma e përfituar nga zoti Sinaj”, deklaroi Çuçi.
Në vijim të diskutimeve në mbledhje, deputetja Klotilda Bushka Ferhati tha se është e drejtë kërkesa e deputetit Sinaj për të marrë më tepër kohë për shqyrtimin e dosjes./ata