Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në këto 3 vite Shqipëria ka marrë 538 medalje të ndryshme sportive, kjo falë investimeve dhe mbështetjes që është dhënë për lëvizjen sportive në Shqipëri.

Në ceremoninë zyrtare të pritjes së medalistëve Olimpikë në kryeministri, Kryeministri theksoi se “Shqipëria u ofron sportistëve dhe atyre që duan të ngjiten më lartë në sport, kushte që kurrë më parë nuk i kanë pasur”.

“Kishte shumë nga ata që thoshin se ne nuk kishim pse gëzoheshim për këto medalje se këto nuk ishin medaljet tona, nuk ishin medaljet e Shqipërisë, këto nuk ishin medaljet e një rruge pune, përpjekjesh dhe bashkëpunimi të të gjitha forcave për t’ja dalë. Se këto ishin medalje që na erdhën si rezultat i dy djemve të ardhur nga larg, që u gjendën rastësisht këtu në Shqipëri dhe në rrugë kapën autobuzin e skuadrës olimpike, shkuan në Francë dhe morën medalje”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje listën e medaljeve të Shqipërisë në kampionate të ndryshme nga kampionate europiane, mesdhetare, ballkanike, tek turne të ndryshme ndërkombëtare, nga viti 2021 në vitin 2024.

“Në këto 3 vite Shqipëria ka marrë 538 medalje. Natyrisht që janë medalje të niveleve të ndryshme pot në të gjitha rastet janë medalje ku shqiptarë të të gjitha moshave kanë garuar me të tjerë këtu në Ballkanin e vogël dhe më gjerë në Europë, në turne të ndryshme ndërkombëtarë dhe kanë sjellë 538 medalje. Këto janë medalje të një lëvizje sportive që është vënë në lëvizje në Shqipëri”, theksoi Rama.

Kryeministri tha se konkretisht në peshëngritja i ka sjellë Shqipërisë në këto vite një numër të konsiderueshëm medaljesh.

“Në vitin 2024 Federata e Peshëngritjes i ka sjellë Shqipërisë 5 medalje ari në kampionatin europian meshuj-femra për të rinj dhe të reja. Po ashtu i ka sjellë 6 medalje argjendi dhe një medalje bronzi. Në total janë 12 medalje të këtij viti”, tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se këto medalje janë dallëndyshet e para të një historie që do të sjellë medalje të tjera.

Kryeministri theksoi se “nëse ka sot Greqia akoma sportistë që garojnë në olimpiadë apo nivele të larta në peshëngritje, kjo i detyrohet dallëndysheve të para që ishin shqiptarë, Luan Shabani”.

“Kur ai i solli Greqisë medaljen e artë nuk i tha njeri ky nuk është i joni, por përkundrazi i kërkuan ta bëte dhe emrin si grek. Këtyre dy djemve ne i urojmë të na sjellin të tjera medalje. Ata janë njësoj, qytetarë të barabartë të Republikës së Shqipërisë, njësoj si ata që kanë lindur këtu dhe patjetër që askush nuk na ndalon dot të jemi shumë krenarë për medaljet e tyre”, shtoi ai.

Rama solli në vëmendje se “jemi një vend që për 23 vite, deri kur ne kemi ardhur në qeveri, kishte ndërprerë fiskulturën në shkollë”.

“Të gjithë mësuesit e fiskulturës ishin lënë rrugëve dhe disiplinat sportive ushtroheshin nga pasioni i njerëzve. Një vend ku numri i palestrave ishte sa gishtat e dy duarve në të gjithë Shqipërinë”, tha Rama.

Ndërkohë, kryeministri theksoi se “sot në mënyrë të përmuajshme vazhdojnë hapen palestra që janë me qindra në Shqipëri”.

“Sot kemi mbi 10 mijë fëmijë që stërviten në mënyrë të organizuar dhe që kanë mbrapa trajnerë, mjekë sportivë, të gjitha analizat dhe dosjen e tyre dhe ndiqen në volejboll e basketboll për meshkuj e femra. Ne nuk do të fitojmë ndonjëherë kampionatin botëror në basketboll, por kjo lëvizje do të sjellë satisfaksione edhe në këto sporte ku në të kalurën ne kemi arritur të bëjmë të lumtur sportdashësit edhe në kompeticionet e nivelit më të lartë europian”, shtoi Rama.

“Natyrisht mirëpresim edhe të tjerë sportistë nga vende të tjera të botës. As duam t’ua ndryshojmë emrin, as ngjyrën e lëkurës, pavarësisht vendit nga vijnë, as gjuhën”, tha Rama./ata