Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh sot se, procesi i legalizimeve të objekteve të banimit do të kryhet edhe me ndihmën e bashkive.

Në një reagim në rrjetet sociale Mazniku shtoi se, njësitë vendore do të caktojnë zonat prioritare dhe do t’i ndihmojnë qytetarët me plotësimin e dokumenteve.

Gjithashtu, nënvizoi ministri, nëse do të jetë e nevojshme, bashkitë do të shtojnë punonjësit dhe burimet financiare për të përshpejtuar procesin.

“Bashkitë do të luajnë rol të rëndësishëm në procesin e legalizimeve të objekteve të banimit”, theksoi Mazniku, teksa shtoi se, bashkia do të caktojë zonat prioritare për procesin e legalizimeve.

Ministri nënvizoi se, bashkia do të ndihmojë qytetarët për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm.

Gjithashtu, bashkia do të lehtësojë komunikimin mes qytetarëve dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe do të bashkërendojë punën me ASHK, theksoi Mazniku./ata