Të paligjshme i ka cilësuar Arben Ahmetaj kontrollet në vilat në pronësi të bashkëjetueses së tij dhe ish-gruas nga Byroja Kombëtare e Hetimit e SPAK.
Ahmetaj në ankimimin e bërë në Apelin e GJKKO, thotë se kontrolli në një prej vilave është anti-kushtetues pasi nuk është marrë leje nga Kuvendi duke qenë se ai është deputet dhe jeton aty.
Sipas Ahmetaj njëkohësisht bashkëjetuesja nuk është informuar paraprakisht për të pasur praninë e një mbrojtësi ligjor.
Ndërkohë që një tjetër padi është depozituar nga ish-gruaja e Ahmetaj për të kundërshtuar kontrollet nga ana e SPAK.
Më 9 mars, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kryer kontrolle në shtëpinë e ish- gruas dhe partneres aktuale të Ahmetajt.
Kontrolli i parë është ushtruar në një vilë në zonën e Hamallajt, në vilën e partneres së tij, ku janë sekuestruar 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë vilë.
Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes, që ka filluar në orën 14:40 dhe ka përfunduar në orën 15:20 minuta, rezulton se nuk janë gjetur para, por se janë marrë disa dokumente që vlerësohen të rëndësishme për hetimet.