Në rubrikën “Opinion” në News24, drejtoresha e sistemit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Zamira Gjini, duke folur për nisjen e vitit të ri shkollor, tha se të gjitha mjediset e arsimit parauniversitar ishin gati.
Gjini tha se rreth 238 mijë nxënës kanë marrë tekste falas, në sajë të një investimi 9 mln euro të Qeverisë.
Gjini tha se ky vit i ri shkollor nis në një kohë kur pagat mesatare të mësuesve kanë arritur në kuotën e 950 euro në muaj, ndërkohë që shtesa mbi pagë do të jetë në bazë të kualifikimeve të mësuesve.
Gjithashtu Gjini evidentoi një përmirësim të ndjeshëm të infrastrukturës arsimore, duke përmendur këtu 25 shkollat e reja në të gjithë vendin.Lidhur me shkollat e mbyllura dhe uljen e numrit të nxënësve, Gjini tha se duhet pasur shumë kujdes kur flitet për shkolla të mbyllura.
“Në përfundim të çdo viti shkollor bëhet një analizë që mund të çojë në mbylljen e disa klasave. Kemi kalimin e nxënësve nga klasat rurale në qendër, pra në klasat në qendrat urbane. Ne kemi si qëllim të ofrojmë cilësi në arsim edhe në rastet e klasave kolektive. Numri i nxënësve që mësojnë në klasa kolektive, krahasuar me 10 vjet më parë, pothuajse është përgjysmuar”, tha Gjini.
Sipas saj, i gjithë ky proces bazohet në rajonalizimin e shkollave dhe nuk kemi të bëjmë me mbyllje të shkollave, sikundër thuhet apo interpretohet.
“Kemi rritjen e numrit të nxënësve në zonat urbane, kjo ka bërë që të shtohen hapësirat në shkollat ekzistuese, ose të ndërtohen shkollat e reja edhe në ato zona ku nuk ka pasur më parë shkolla. Kjo për faktin se kemi një lëvizje të popullsisë nga zonat rurale në ato urbane dhe për rrjedhojë kjo sjell domosdoshmërisht shtimin e klasave, ambienteve apo shkollat e reja”, tha Gjini.
Ajo u shpreh se rënia e numrit të nxënësve në shkolla ka lidhje me rënien e lindjeve.
“Krahasuar me 6 vite më parë kemi një rënie të numrit të lindjeve dhe për rrjedhojë edhe rënie të numrit të nxënësve që shkojnë për herë të parë në shkollë”, tha ajo./BalkanWeb