Këtë vit, biznesi ka marrë masa më herët për ti paraprirë paketës fiskale 2025. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë u ka dërguar një letër sipërmarrjeve anëtare, duke iu kërkuar që të propozojnë ndryshime fiskale të nevojshme për vitin e ardhshëm, propozime të cilat janë depozituar dhe mbledhur deri në fund të muajit Gusht.
Dhoma e Tregtisë Tiranë vë në dukje se sipërmarrja po vuan pasojat e efektit zinxhir të rritjes së çmimeve në tregun botëror. Duke theksuar se bizneset e vogla dhe ato të mëdha po përballen me vështirësi financiare, mungesë likuiditeti, dhe me një situatë të pasigurte në këndvështrimin e qëndrueshmërisë së biznesit, ku nuk mungojnë dhe rastet e falimentit.
Sipas Dhomës së Tregtisë Tiranë është nevojë imediate hartimi i një pakete të strukturuar të mbështetjes financiare 2025. Sipërmarrja kërkon dhe pret nga qeveria nisjen e aksioneve me politika nxitëse dhe tregues të matshëm në mbështetje të konkurrueshmërisë, inovacionit, dhe nxitjes së eksporteve, për ti dhënë bizneseve një frymëmarrje dhe mbështetje financiare që është e domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm.
Por cilat janë shtyllat ku do të fokusohen kërkesat e biznesit për paketën fiskale 2025?
Kërkesat do të përqendrohen tek problemet që hasin sipërmarrjet me procedurat tatimore dhe që shkaktojnë paqartësi dhe përplasje në zbatim. Krijimin e lehtësirave fiskale për sektorë të caktuar ekonomikë me qëllim lehtësimin financiar të tyre dhe rritjen e konkurrueshmërisë. Procedurat dhe tarifat doganore janë shtylla e dytë, duke u përqendruar tek tarifat për prodhuesit vendas, të cilat krijojnë pabarazi në raport me rajonin. Marrëveshjet e tregtisë së lirë dhe taksimi i dyfishtë është shtylla e tretë ku do të përqendrohen kërkesat e sipërmarrjes, duke u fokusuar tek barrierat tatimore që eksitojnë dhe eliminimi i tyre.
Lufta ndaj informaliteti do të jetë shtylla e katërt e propozimeve të bizneseve për paketën fiskale të vitit të ardhshëm. Propozimet do të adresohen në Këshillin Ekonomik Kombëtar dhe në strukturat përgjegjëse të qeverisë./Scan