Mediet raportuan sot se trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë me tre anëtarë e cila shqyrtoi rekursin e dorëzuar nga Ekelejd Alibeaj dhe dy avokatë që përfaqësojnë grupimin Basha me 4 kërkesa për vulën e kësaj partie, vendosi rrëzimin.
Por, Demokratët Euroatlantikë përmes një reagimi u shprehën se mospranimi i kërkesës për pezullim, s’është rrëzim i rekursit.
“Mospranimi i kërkesës për pezullim, nuk është rrëzim i rekursit të paraqitur nga Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë për vendimin skandaloz të Apelit. Kërkesa e sotme lidhej vetëm me pezullimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, deri në vendimin përfundimtar të Gjykatë së Lartë”, thuhet në reagimin e PD-Demokratëve Euroatlantikë.
Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantikë, vijon njoftimi, nuk do të dorëzohen përballë padrejtësisë, pazari Rama-Berisha për vulën është një pazar kundër drejtësisë, kundër Shqipërisë.
Në faqen zyrtare të Gjykatës së lartë njoftohet se trupa ka vendosur mospranimin e paraqitur nga kërkuesi Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit numër 3, dt. 25.03.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Alibeaj ka kërkuar pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë përndryshe vendimi i ish-gjyqtarit Agron Zhukri, i cili në mars 2022 njohu Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha dhe ajo që njihet si “vula e PD”./ata