Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Elisa Spiropali, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Kosovë. 

Në deklaratën e përbashkët për shtyp pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Spiropali theksoi se, Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë.

Ajo u shpreh se nga takimi me homologun kosovar, Glauk Konjufca, do të dalin me një sugjerim ndaj qeverive të dyja shteteve shqipfolëse që të ketë konkretizim më të detajuar të partneritetit.

“Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë, për Shqipërinë dhe Kosovën bashkëpunimi është një prioritet i pandashëm, është një binom stabilizues dhe orientues për të nesërmen tonë por edhe për të gjithë rajonin. Me kryetarin Konjufca ne ndamë që t’u sugjerojmë qeverive tona një konkretizim më të detajuar të partneritetit strategjik e gjithëpërfshirës duke bërë atë një model inkurajues për bashkëpunimin rajonal ndër shqiptarë dhe më gjerë”, tha Spiropali.

Ajo vuri në dukje angazhimin për thellimin e bashkëpunimit midis dy parlamenteve.

“Dy parlamentet tona kanë potencialin patriotik dhe politik, detyrimin kushtetues, historik dhe moral që të bëhen edhe më shumë promotor të integrimit dhe mirëkuptimit rajonal”, theksoi Spiropali.

Kryetarja e Kuvendit u pyet për marrëdhëniet aktuale mes dy vendeve.

“Ngrirja nuk është fjalë që mund të përdoret në një kontekst të tillë, por unë besoj që shumësia dhe bashkimi i këtyre ndërveprimeve vetëm na bën mirë. Dobësia juaj është edhe dobësia jonë, forca juaj është dhe forca jonë dhe anasjelltas. Sa më e fortë e zhvilluar dhe e mbarë të jetë Shqipëria aq më e mbarë, e sigurt dhe e zhvilluar është Kosova. Dhe ne vetëm të tillë e shohim bashkëpunimin me Kosovën që për ne është prioritet kombëtar dhe është i pari, por edhe nevojën për këtë bashkëpunim ta shtrijmë në të gjithë rajonin tonë dhe më tej në BE”, u shpreh Spiropali.

“Ne besojmë që aplikimi i Kosovës për në BE duhet të shqyrtohet me seriozitet për t’i dhënë Kosovës perspektivën e integrimit në BE ashtu siç edhe Kosova meriton të njihet si shtet i pavarur dhe t’i njihet territori dhe ai të mos cenohet”, deklaroi ajo./ata