Procesi aktual i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, sipas kryekuvendarit Glauk Konjufca, ka vdekur dhe duhet një fillim i ri me Kosovën që shihet si palë e barabartë dhe me ndërkombëtarët më të qartë në kërkesat e tyre.

Për njohësit e kësaj çështje, dialogu vërtetë ka ngecur por Prishtina zyrtare duhet të bëjë kujdes në mënyrë që të mos etiketohet si palë që e saboton procesin.

“Kosova do të duhet të shikojë se si ekziston mundësia që së paku të marrë pjesë në dialog dhe të jetë palë konstruktive dhe të mos i lihet faji për ngecje që mund të jenë në raport me Serbinë”, tha analisti Arbnor Sadiku.

Një takim i ardhshëm mes kryenegociatorëve është ne agjendën e emisarit Miroslav Lajçak për disa çështje që janë ngritur së fundmi, mirëpo nuk priten rezultate konkrete.

Si arsye shihet edhe se Kosova tashmë është në një vit elektoral mirëpo do të priten edhe rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Amerikë.

“Meqenëse dialogut i ka humbur filli atëherë do të kemi propozime të tilla derisa të konstituohen organet e reja të BE-së dhe të përfundojnë zgjedhjet presidenciale në SHBA, atëherë mund të flasim për një ringjallje të dialogut deri atëherë ka vdekje klinike të dialogut” , u shpreh zv.ministri Hoxha.

“Edhe unë konsideroj që ky dialog nuk mund të ristartojë deri në vitin e ardhshëm kur do të kryhen zgjedhjet në SHBA dhe Kosova do ta formojë qeverinë e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit”, shtoi Sadiku.

Gjatë ditës së martë, Lajçak qëndroi në Beograd pasi paraprakisht kishte qenë edhe në Prishtinë në përpjekje për të arritur pajtimin e palëve për takimin e radhës./Tema