Pavarësisht se ka pasur një rritje të kërkesës për qiramarrje dhe blerje apartamentesh të reja, të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se janë shitur më pak prona në gjysmën e parë të vitit, ndërsa është bërë edhe më e vështirë shitja e një apartamenti në Tiranë. A është diktuar kjo mospërputhje nga çmimet më të larta të ofertës, pra çmimeve më të larta të apartamenteve për shitje?
Agjenti i Pasurive të Paluajtshme, Jani Nini, u shpreh për Televizionin Scan se cilësia e lartë e ndërtimit është një prej faktorëve që kanë ndikur në rritjen e çmimeve të banesave, teksa shpjegoi dhe cilat janë zonat më të preferuara për klientët dhe ato më të shtrenjtat.
“Në gjashtëmujorin e parë të paktën, ka pasur një rritje të çmimit të pronave, një rritje më konstante në raport me vitet e tjera. Është një rritje e çmimeve edhe për shkak të cilësisë së ndërtimit. Kryesisht, rritje kanë pësuar zonat qendrore, që përfshijnë Unazën e Vogël. Zonat më të preferuara për qira janë ato brenda Unazës, por ato më të përballueshme janë kryesisht zonat që janë më larg se qendra ose ato që përfshijnë një perimetër pak më të distancuar nga Unaza e Vogël. Pjesa më e përballueshme pastaj, edhe për blerje, është po ashtu periferia, Astiri, Fresku, Paskuqani ndoshta, që po merr një zhvillim tjetër. Zonat më të kërkuara dhe më të shtrenjta janë Blloku, qendra me pjesët rreth Sheshit Skënderbej, si dhe pastaj gradualisht duke rënë është edhe çdo zonë brenda Unazës së Vogël, ndoshta Komuna e Parisit, edhe Liqeni i Thatë që edhe pse nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë me qendrën, pra ka pak distancë, sërish ka preferenca.”
Blerja e një apartamenti në Tiranë po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme. Rreth 53% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej agjentëve janë blerë me hua bankare, të cilat në 65% të rasteve kanë mbuluar deri në 60% të vlerës së banesës. Banka e Shqipërisë ka raportuar një rritje prej 16.9% të çmimit të banesave në rang vendi, ndërsa shitjet në kryeqytet regjistruan gjithashtu një rritje prej 23.5% ndaj periudhës paraardhëse./Scan