Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka
zhvilloi sot homazhe në përkujtim të herotit të demokracisë, Azem Hajdari.

Në një prononcim për mediet, Noka tha se Azem Hajdari hyri në histori me trimërinë, me guximin dhe kurajën që tregoi për t’u përballur me diktaturën.

“Azem Hajdari me studentët u përballën dhe sfiduan regjimin me gjaktar që ka pasur Shqipëria. Ata dhanë një mesazh se vetëm guximi, përballja dhe kurajoja është rruga e duhur kur ke përballë një regjim, një regjim që kundërshtarëve iu tundte prangat ose plumbin. Mesazhi i Azem Hajdarit sot është më adekuat se kurrë. Regjimi do kurajo, regjimi do përballje, regjimi do t’i qëndrosh, regjimi do që të luftosh ta rrëzosh”, tha ai.

I pyetur mbi lëvizjen për qeveri teknike, Noka tha se lëvizja fillon aty ky njerëzit janë. “Ne jemi duke lëvizur në të gjithë Shqipërinë. Nuk është çështje datash. Revolta popullore po zien, do të duhet që ne t’i prijmë asaj. Ka vetëm një rrugë që e kemi deklaruar, qeveria teknike për të shkuar vendi në zgjedhje të lira dhe demokratike. Shqiptarët nuk mund të pranojnë që në vitin 2025 të mos ketë votë të lira. Shqiptarët nuk mund të pranojnë që edhe të jenë vend anëtar i NATO-s, edhe vota të kontrollohet nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës”, shtoi ai./ata