“Procesi i Udhërrëfyesit, Hapat e Mëtejshëm” titullohet konferenca rajonale për rolin efektiv të parlamenteve në procesin e integrimit evropian të zhvilluar më 11 dhe 12 shtator në qytetin e Vlorës.

Në këtë konferencë morën pjesë kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropiane, njëherësh  Kryetare e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Jorida Tabaku, Pranvera Resulaj, anëtare e Komisionit për Çështjet Evropiane të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe delegacionet e komisioneve parlamentare për integrimin evropian të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Konferenca u zhvillua me mbështetjen e projektit “Bashkëpunimi Rajonal për Integrimin në BE (RCEI)” financuar nga Ministria për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) e Republikës Federale Gjermane.

Iven Schad, Sekretar i Parë i Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri përshëndeti Konferencën duke theksuar mbështetjen e Gjermanisë për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tyre Tabaku dhe Resulaj theksuan se zgjerimi i Bashkimit Evropian është në interes të rajonit dhe të BE-së dhe vlerësuan bashkëpunimin në nivel rajonal në arritjen e këtij qëllimi.

Tabaku paraqiti për pjesëmarrësit eksperiencën e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, rolin e tij në procesin legjislativ dhe monitorues dhe më tej aktivitetin e Komisionit për Çështjet Evropiane dhe Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian.

Roli dhe aktiviteti i këtyre dy organizmave është rritur në mënyrë të vazhdueshme mbështetur edhe nga forcimi i kapaciteteve të Shërbimit të Integrimit Evropian të Kuvendit të Shqipërisë.

Në Konferencë u prezantua dokumenti “Parimet e kontrollit efektiv parlamentar në procesin e integrimit evropian”.

Ky dokument përmbledh eksperiencën më të mirë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e zgjerimit duke u fokusuar në rolin legjislativ dhe kontrollues të parlamenteve, diplomacinë parlamentare, kapacitetet institucionale të administratës së parlamenteve, komunikimin dhe vizibilitetin e parlamenteve në procesin e integrimit evropian./ata