Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut, rikthehet në edicionin e 19-te, organizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi.

Tema këtë vit është “Vepro gjelbër tani dhe në të ardhmen”, me një vëmendje të veçantë kushtuar mjedisit dhe pasojave nga dora e njeriut.

Drejtori i festivalit, Kujtim Çashku, shpjegoi se, “tematika e tille" “Vepro gjelbërt tani, dhe për të ardhmen” do të thotë që akuza e madhe që ngrihet është akuza ndaj mënyrës sesi është shfrytëzuar planeti nga burimet natyrore me motivin e zgjerimit të territoreve dhe në të njëjtën kohë të një shfrytëzimi barbarë të natyrës”.

Në Festival janë dorëzuar rreth 3500 aplikime, nga të cilët janë përzgjedhur vetëm 41 filma, që do të shfaqen në Kinemanë e Akademisë së Filmit dhe Multimedias Marubi, çdo ditë duke filluar nga ora 17:00, për rreth 5 orë.

Luftërat dhe konfliktet aktuale në botë, nga Ukraina në Gaza vijnë në krijimet për publikun shqiptar për 5 ditë radhazi

Çashku tha se, “filmat marrin spunto nga ngjarjet e 11 shtatorit, më pas trajton gjithçka çfarë ndodhi me Irakun, vjen me aktualutetin e luftës në Ukrainë dhe ngren një dilemë të madhe nëse diplomacia luan një rol dhe është në gjendje të ndërpresë diplomacia luftërat apo duhet patjetër luftërat për të zgjidhur”.

Sipas tij, përballë nesh, festivali shtron një sërë pyetjesh dhe ngre një sërë dilemash, që shpesh gjejnë paralele me shoqërinë shqiptare, e cila për Çashkun është ende e papërgatitur.

“Luftërat duhet ti kuptojmë që shpesh herë krijojnë edhe patologjitë kolektive. Që shfrytëzohet emri i patriotizmit, nacionalizmit, emri i diktatorit që i imponon këto luftëra për ti krijuar, dhe shpesh herë pse jo shërbejnë edhe për motivime të caktuara ekonomike, përfitime të caktuara. Sepse shpesh herë politikat, indoktrinimet, ideologjitë i ngrën fenomenet e heronjve thjesht duke i motivuar ato për vrasjet që kryejnë. Edhe filmi mund ta bëjë këtë gjë, ta vërë njeriun në pozicion reflektimi për të parë në çfarë pozizioni e vendos veten. Mendoj se jemi larg kulturës qytetare të reflektimit”, theksoi ai.

Çashku shprehu besimin se filmi nuk është vetëm një formë argëtimi, por edhe një mënyrë për të treguar të vërtetat. “Festivali i Filmit të të Drejtave të Njeriut ka si qëllim dhe mision të vetin, t’i sjellim spektatorit tonë sa më shumë të vërteta, që vijnë përmes artit të filmit”, nënvizoi ai./ata