Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, deklaroi sot se, “zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, që lidhet me ruajtjen e kontrolleve dhe balancave në sistemin demokratik të vendit”.
Në një reagim të saj, pas deklaratave nga përfaqësitë e SHBA-së dhe BE-së në Shqipëri lidhur me votimin e djeshëm të Kuvendit të Shqipërisë, për çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçkës, Spiropali u shpreh se, e kishte ngritur këtë çështje si prioritet, duke kërkuar që Kuvendi të ndjekë dhe zbatojë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese.
“Ndaj plotësisht bindjen se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”, shkruan Spiropali në reagimin e saj.
“Prandaj edhe e theksova gjatë hapjes së sesionit parlamentar javën e kaluar si prioritet nevojën që Kuvendi të ndjekë vendimet e mbetura të Gjykatës Kushtetuese. Votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysëm më parë dhe së fundmi ai i korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh”, nënvizon Spiropali.
“Pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme. Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë”, përfundon reagimin e saj Spiropali./ata
Letra e plote e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali drejtuar Komisionit të Venecias