“Vendimi i Kuvendit për të hedhur poshtë për herë të tretë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Olta Xhaçkën është konfirmim i asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të vetë Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, është prova e asgjësimit të Kuvendit dhe shtetit të së drejtës”.

Kështu deklaroi për mediet Sekretari i Përgjithshëm, i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, ndërsa tha se ky puç shumë i rëndë kushtetues është akti final i rënies “de jure” dhe “de facto” të shtetit.

“Mbyllja e syve para provave ulëritëse të korrupsionit skozfrenik dhe inkriminimit në nivele të larta provon se SPAK është një organizatë kriminale në duart e Edi Ramës dhe mafias ndërkombëtare, që kërkon të shuajë sovranitetin e popullit shqiptar dhe të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh ai.

Blushi tha se, në kushtet kur mafia ka kapur shtetin, izolon pa prova liderin e Partisë Demokratike  dhe shantazhon drejtuesit e opozitës, çdo veprim qytetar kundër mafias në pushtet është legjitim.

Ai bëri apel për përshkallëzim të aksionit opozitar në të gjitha frontet.

“Partia e Lirisë është e vendosur për t’i prirë kësaj beteje me çdo çmim në mbrojtje të demokracisë, pluralizmit politik dhe dinjitetit njerëzor, të lirisë dhe sovranitetit të Shqipërisë”, u shpreh Blushi./ata