Në qendrën e zhvillimit rajonal “MIK” në Korçë, ditën e sotme u zhvillua një takim mbi projektin për zhvillimin e turizmit të aventurës. Në takim me prefektin e Korçës, Nertil Jole, ishin përfaqësuesit e studios “ARS Progetti S.P.A & Bolles+Wilson”, të cilët po hartojnë projektin teknik paraprak me ndërhyrjet e propozuara, që do të stimulojnë zhvillimin e turizmit të aventurës në zonën natyrore të fshatrave Dardhë, Arrëz, Sinicë dhe Nikolicë.
Ky projekt është financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në kuadër të Programit për Fuqizimin e Infrastrukturës Turistike (Albanian Infrastructure Tourism Enabling Program).
Prefekti Nertil Jole, tha se, realizimi i këtij projekti do të shtojë premisat e një zhvillimi të ri ekonomik dhe turistik për zonën me natyrë të mrekullueshme të këtyre fshatrave, duke e pasuruar edhe më shumë ofertën turistike që ofron Qarku Korçë./ata