Vangjel Tavo, Kreu i ri i Bashkisë Himarë do të betohet në datë 30 Shtator për detyrën e re.
Kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo fitoi garën për kryetar të Bashkisë së Himarës pas zgjedhjeve të pjeshme vendore, që u zhvilluan 4 Gusht me rreth 1500 vota më shumë se rivali i tij Petraq Gjikuria.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të votave të 36 qendrave të votimit Vangjel Tavo mori 5022 vota (58,62%) kundrejt 3545 votave (41,38%) të Petraq Gjirkuria, kandidat i koalicionit opozitar “Bashkë fitojmë”. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale zoti Tavo vlerësoi votën e zgjedhësve dhe ftoi rivalin e tij të pranojë detyrën e nënkryetarit të bashkisë.
Zgjedhjet u kontestuan nga opozita, por edhe KQZ edhe Gjykata i certifikuan si të rregullta duke lënë në fuqi rezultatin e 4 gushtit. Tavo do të ushtrojë mandatin e tij për 3 vite, deri në 2027 kur mbahen zgjedhjet e radhës lokale.
Zgjedhjet e pjeshme në Himarë erdhën pasi kryetari i zgjedhur Fredi Beleri nuk arriti ta merrte mandatin pasi u arrestua një ditë para votimeve dhe u dënua nga gjykatat shqiptare me dy vite burgim për korrupsion aktiv në zgjedhje./Shqiptarja