I dërguari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, vlerësoi bashkëpunimin me Forcat e Armatosura shqiptare në stërvitjen “Austere Wolf – 24”, teksa e cilësoi këtë aktivitet faktor në forcimin e masave për rritjen e sigurisë në rajon dhe më gjerë.

Duke marrë fjalën në aktivitetin, Dita e Vizitorëve të Shquar në stërvitjen e përbashkët ushtarake mes trupave shqiptare dhe britanike “Austere Wolf – 24”, Peach tha se “me luftën që ndodh në Ukrainë, është e rëndësishme të kujtojmë rëndësinë e sigurisë në Europë”.

Peach u ndal në rëndësinë strategjike të Korridorit 8, që lidh rrugët, portet, infrastrukturën dhe siç u shpreh ai, është shumë i rëndësishëm pasi bën të mundur që Aleanca të lëvizë me shpejtësi.

“Ne punojmë me FA në një histori prej 100 vitesh dhe jemi të lumtur që shohim studentët shqiptarë që marrin diploma në Britaninë e Madhe dhe ne vazhdojmë të punojmë së bashku me të gjitha gjërat që na bashkojnë. Si ish-drejtues i komitetit në NATO, me lejoni të them se, ne po punojmë së bashku në një sërë drejtimesh. Nuk ka më kufij doktrinore dhe gjithçka mbështetet nën ombrellën e fjalës mbrojtje”, deklaroi Peach.

Ai bëri të ditur se, në kuadër të stërvitjes forcat ushtarake do të lëvizin drejt Maqedonisë së Veriut dhe nesër për në Kosovë, ndaj falënderoi FA shqiptare që mbështesin Aleancën përmes një miqësie aktive./ata