Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, priti sot në Kryesinë e Kuvendit Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Abbott, me rastin e fillimit të misionit të tij në Shqipëri.

Kryetarja Spiropali vlerësoi bashkëpunimin e gjithanshëm dhe shumë të mirë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe vuri në dukje përpjekjet që po bën Kuvendi për ndërtimin e një bashkëpunimi e debati konstruktiv, për të përballuar sfidat e integrimit europian dhe thellimin e reformave, vijimin e bashkëpunimit mes Kuvendit dhe Dhomës së Komunëve për nxitjen e bashkëpunimit dypalësh dhe miqësisë mes qytetarëve të të dy vendeve, forcimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, modernizimin e procesit legjislativ dhe rritjen e transparencës së veprimtarisë parlamentare. Znj. Spiropali falenderoi Ambasadorin Abbott për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe vuri në dukje kontributin e vlerësuar të Shqipërisë për bashkëpunimin, sigurinë e paqen në rajon.

Ambasadori Abbott vlerësoi arritjet e gjithanshme të Shqipërisë në zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin e institucioneve si një demokraci që funksionon shumë mirë dhe vuri në dukje se Mbretëria e Bashkuar do të vijojë të mbështesë Shqipërinë, Kosovën dhe vendet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve euro-atlantike./BalkanWeb