Në Pallatin e Kulturës dhe Qendrën e Inovacionit “ICTe Mat”, krahas ekspozitave të pikturave me artistë shqiptarë e të huaj, po zhvillohen me sukses tre kurse inovative për fëmijët e moshave 6-16 vjeç për robotikë, dizajn 3D dhe kodim.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili vizitoi sot këtë qendër, bëri të ditur se këto kurse synojnë të forcojnë bazat e arsimit teknologjik që në moshë të re dhe të përgatisin brezin e ri për sfidat e ekonomisë digjitale.
“I bëjnë ata që që të vegjël të kenë angazhim duke u larguar nga telefonët dhe duke u orientuar nga një e ardhme më produktive për ta”, tha ai.
Gonxhja informoi se vitin që vjen do të zbatohet një program më i pasur për grantet kombëtare ku përfshihen disa grupmosha.
“Po punojmë shumë për ekonominë kreative, për industrinë kreative”, tha ai.
Ai e siguroi bashkinë Mat për më tepër mbështetje për shtimin e numrit të nxënësve që do të ndjekin kurset për robotikë, dizajn 3D dhe kodim.
Gonxhja vizitoi edhe galerinë e pikturave të ekspozuara në kuadër të aktivitetit të quajtur “Hani i Hotit” që mbahet prej disa vitesh në prag të ardhjes së stinës së vjeshtës.
Bashkia fton piktorë të njohur nga trevat shqiptare për të pikturuar zonat turistike të Matit.
Ky aktivitet organizohet nëpërmjet Qendrës së Kulturës Artit dhe Muzikës, financuar nga projekti “Bashkitë për në Evropë”./ata