Nga 1 Tetori, paga minimale në Kosovë do të jetë 350 euro në muaj duke përfshirë të gjitha moshat. Janë mbi 150 mijë të punësuar, kryesisht në sektorin privat që përfitojnë nga hyrja në fuqi e vendimit.
Ky veprim është cilësuar një hap pozitiv nga eksperti i ekonomisë Jakup Bellaqa, në kuadër të masave të shumta që janë ndërmarrë.
Më herët paga minimale ishte prej 264 euro. Ajo u rrit para dy viteve, por për herë të parë caktohet edhe niveli i ri i pagës minimale që do të jetë 2 euro për orë pune të rregullt.
Paga minimale në Kosovë ka qenë 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç, duke qenë vendi me pagën më të ulët minimale në Evropë.
Ndërkohë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës rritjen e pagës minimale në 350 euro bruto që parashihet të hyjë në fuqi më 1 tetor 2024, e ka cilësuar pozitive për përmirësimin e kushteve të jetesës, por ka shprehur shqetësime se ajo mund të mos jetë e mjaftueshme për të përballuar rritjen e çmimeve dhe koston e jetesës./Scan