Deputetët e Partisë Demokratike nuk kanë marrë pjesë sot në Komisionin hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up-it në shëndetësi.

Zëvendëskryetari i Komisionit hetimor për shërbimet publike të sterilizimit dhe të check-up-it në shëndetësi, Plarent Ndreca, informoi në nisje të mbledhjes se deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm gjatë zhvillimit të seancës së radhës.

“Sot në orën 11:00 fillonte procesi i dëshmive të konfirmuara më parë. Në orën 11:00 ishte thirrur dëshmitari Mihal Tase, thirrja me shkresë është kthyer mbrapsht nga Posta, e cila përcakton se adresa është e paqartë. Në kushtet kur nuk është realizuar njoftimi, do ta ndërpresim mbledhjen dhe ta nisim në 12:00 me dëshminë e dëshmitarit tjetër”, tha Ndreca.

Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi tha se “besoj se nuk kemi zgjidhje tjetër dhe do të vazhdojmë me thirrjen e dëshmitarëve të tjerë”.

Seancë dëgjimore me dëshmitarët për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale do të vijojë më pas me Myftar Barbullushi, Mentor Petrela, Nikollaq Kacani, Mustafa Xhani dhe Arben Beqiri.

Opozita nuk ka marrë pjesë sot as në Komisionin e Ligjeve, pasi ka nisur aksionin pas dënimit me burg të deputetit Ervin Salianji për veprën penale “Kallëzim i rremë”.

Po ashtu, PD nuk mori pjesë edhe tek Komisionin për Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik, që ishte në program sot.

“Nesër nuk marrim pjesë në mbledhjet e komisioneve parlamentare, me përjashtim të Palokës dhe Joridës, që me porosi të Kryetarit të Partisë do të jenë tek Integrimi për të shprehur qëndrimin e PD për hapjen e negociatave me BE. Ndërkohë, rikujtesë për mbledhjen e grupit parlamentar nesër në seli në orën 15:00”, shkruhej në njoftimin e një dite më parë të opozitës.

Qëndrimi i Partisë Demokratike për të mos marrë pjesë në Komisioneve vjen si pjesë e aksionit të saj politikë të saj, në kundërshtim me burgosjen e Deputetit të PD, Ervin Salianjit. Salianji u dënua nga Gjykata e Apelit me 1 vit burg për “Kallëzim të Rremë”, në kuadër të çështjes së njohur “Babalja”. PD e cilësoi dënim politikë vendimin e Gjykatës./ata