Ministri i Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Taulant Balla njëherësh edhe drejtues politik i Partisë Socialiste për Diasporën mori pjesë në një takim me bashkatdhetarë nga të gjithat trevat shqiptare në Augsburg, Gjermani.

Në fjalën e tij, ministri Balla theksoi se janë mbi 35 klasa në gjuhën shqipe vetëm në Landin e Bavarisë në Gjermani.

“Është kënaqësi e veçantë të bëhemi të gjithë bashkë ‘Një Komb, Një Diasporë’, në këtë qendër të rëndësishme kulturore, e cila promovon vlerat më të mira të kombit shqiptar, promovon gjuhën dhe letërsinë shqipe si dhe mbështet djemtë dhe vajzat që duan të merren me sport. Kombëtarja e futbollit e Shqipërisë është shembulli më i bukur, sesi djem nga të gjitha viset shqiptare bëhen bashkë për të ngritur lart flamurin tonë kombëtar, kështu që më pëlqen shumë që në këtë qendër që jemi sot, tek e cila djemtë dhe vajzat, fëmijët mësojnë gjuhën shqipe të mblidhemi dhe të lexohen poezi në gjuhën shqipe dhe të promovohet gjuha jonë e bukur shqipe”, tha ai.

Balla solli në vëmendje edhe faktin se konsullatat e Shqipërisë dhe të Kosovës janë të vendosura dhe funksionojnë në një godinë të vetme.

“Dua të falenderoj të dy Konsujt për përkujdesjen që bëjnë për pjesëmarrjen e tyre në sa më shumë aktivitete. Edhe prezenca sot këtu është shumë domethënëse kemi shqiptarë të Shqipërisë, Kosovës të Maqedonisë së Veriut dhe nga Presheva dhe kjo është diçka shumë e bukur që ajo që na mbledh është dashuria për kombin, dashuria për flamurin, dashuria për gjuhën shqipe,” shtoi ai.

Në emër të qeverisë shqiptare, Balla garantoi se do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka që duhet për t’i mbështetur këto qendra kulturore dhe klasat e mësimit të gjuhës shqipe. “Na duhet ta ruajmë brez pas brezi mësimin e gjuhës shqipe për të gjithë fëmijët shqiptarë,” theksoi ai./ata