Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali reagoi pasditen e sotme pas mbylljes së seancës plenare për shkak të bllokimit nga deputetët e opozitës të cilët nxorrën jashtë karriget e tyre dhe i dogjën në shenjë proteste ndaj dënimit nga gjykata të deputetit Ervin Salianji.
Spiropali e nisi reagimin duke cituar një deputet të opozitës sipas të cilit “karriget tona janë të qytetarëve”.
“Kjo është shumë e vërtetë dhe prandaj ato karrige janë për t’u respektuar duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve. Djegia e tyre dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik”, u shpreh Spiropali.
“Fatkeqësisht zjarrin mbi parlamentet e kanë vënë vetëm përbuzësit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë në historinë e saj. Edhe më fatkeqësisht zjarrvënia e sotme, dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës, e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t’u marrë në kqyrje nga organet ligjzbatuese”, tha kryetarja e Kuvendit.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka u përjashtua nga seanca pasi u konfliktua me deputetin socialist, Petro Koçi i cili do merrte fjalën në Kuvend./ata