Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj priti sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate, ambasadorin e ri të Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran.
Tarran shoqërohej në këtë takim nga shef i Departamentit Ligjor dhe të Drejtave të Njeriut, Mauro Puzzo, dhe Luljeta Krasniqi, këshilltare ligjore vendase.
Gjatë takimit, ambasadori Tarran shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e frytshëm në realizimin e disa nismave, të tilla si Udhërrëfyesi i Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, mbështetja për planifikimin strategjik apo materialet trajnuese për ankimin individual kushtetues.
Kryetarja e Kushtetueses, Zaçaj shprehu mirënjohjen për këtë partneritet veçanërisht sa i takon realizimit të Udhërrëfyesit, si një mjet i munguar prej kohësh në drejtësinë kushtetuese në vend.
Ajo ndau me ambasadorin lajmin se tashmë ky material i është vënë në dispozicion edhe në formë të printuar profesionistëve të drejtësisë, si gjyqtarëve dhe avokatëve, duke u mirëpritur prej tyre.
Ai gjithashtu është i disponueshëm edhe në formë elektronike për publikun e gjerë në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.
Po ashtu, kryetarja vlerësoi dhe partneritetin e saponisur me Prezencën për realizimin e Udhërrëfyesit të dytë të jurisprudencës së saj.
Në mbyllje të takimit, palët ritheksuan vullnetin për të vijuar më tej bashkëpunimin për nisma dhe projekte të tjera, në mbështetje të veprimtarisë së rëndësishme që Gjykata Kushtetuese kryen dhe rolit të saj në drejtim të realizimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe forcimit të shtetit të së drejtës./ata