Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u paraqit sot në SPAK lidhur me denoncimin e tij pas shantazheve të marra në platformën Signal dhe nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Posaçme për nxjerrje të bisedave të SkyECC.

Pas daljes nga SPAK, Bardhi bëri të ditur se ka dorëzuar telefonin e tij në kuadër të hetimeve, ndërsa tha se, dokumentet që i janë dërguar janë të falsifikuara me qëllim intimidimin dhe shantazhin ndaj tij.

“E dorëzova telefonin personal për këqyrjen e nevojshme dhe për të dhënat e nevojshme të SPAK, për të verifikuar mesazhet shantazhuese në platformën Singal”, tha Bardhi në një prononcim për mediet.

“Dua të qartësoj se ka media që edhe sot janë pjesë e skemës sepse i paraqesin të dhënat në dy procesverbale. Nuk bëhet fjalë për përgjim real. Janë prodhuar për qëllime kriminale. Ka ndodhur edhe me persona të tjerë”, tha ai.

“Menjëherë sapo u njoha me to vura në dijeni SPAK, ka të bëjë edhe me kredibilitetin e SPAK dhe me faktin që individë të caktuar përdorin të dhëna që administrohen nga kjo prokurori me përmbajtje të rreme”, shtoi ai më tej.

Bardhi theksoi se është e konfirmuar që ai format dhe ato procesverbale nuk ekzistojnë në përgjimet e Sky.

“Po mbledh të dhënat edhe për mediet që i pasqyrojnë si të vërteta se po bëhen pjesë e skemës shantazhuese të deputetëve të Kuvendit”, tha Bardhi.

Pak ditë më parë, Bardhi denoncoi në SPAK se i kishin ardhur SMS shantazhuese ndaj tij nga një përdorues anonim me emrin “Mbreti Zog”. Në përgjimet e dërguar kundrejt Gazmend Bardhit del emri i Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit, ku sipas deputetit janë të gjitha të sajuara për qëllime kriminale./ata