Deputetët e opozitës ka penguar vijimin normal të punimeve të Komisionin e Etikës në Kuvendin e Shqipërisë.

Komisioni i Etikës u mblodh rreth orës 15:00, pas kërkesës së deputetëve të mazhorancës. Këta të fundit kërkojnë përjashtimin e 24 deputetëve të opozitës, me argumentin se shkaktuan dhunë dhe bllokuan punimet e seancës plenare të pasdites të së enjtes.

Nga Kryesia e Kuvendit, në një deklaratë për mediet, deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, tha se askush nuk mund të intimidojë Partinë Demokratike.

“Ju mendoni se deputetët e PD-së do të njohin vendimet e “narkos”? Ne jemi përfaqësues të popullit opozitar që nuk pranon çetën e hajdutëve dhe nuk pranon që Shqipëria të shpopullohet. Ne do të jemi aty. Nuk njohim asnjë vendim as të “narkos” dhe as të veglave të “narkos””, tha ai.

“Nuk ndodh në asnjë vend demokratik që mazhoranca të kërkojë me ngulm të mos ketë opozitë në parlament, është unike dhe këtë e bëjnë vetëm regjimet narkos. Edi Rama dhe Zonja 5 mln euro e Doganave e urrejnë opozitën. Ajo flaka e karrigeve i ka tmerruar. Ata që kanë vjedhur 10 miliardë euro, qajnë me lot krokodili karriget. Narkoregjim dhe mendojnë se me kërcënime të tilla dhe duke shfryrë duf, mund ta intimidojnë opozitën. Ka mbaruar ajo ditë. Opozitën do ta kenë përpara me mosbindje civile më datë 7 në Tiranë, e gjitha Shqipëria në Tiranë që të shpëtojmë nga narkot”, u shpreh Noka.

Partia Socialiste depozitoi dje në Kuvend kërkesën për përjashtimin e 24 deputetëve të Partisë Demokratike. Sipas shkresës së firmosur nga deputetët e mazhorancës thuhet se sjellja veçanërisht e deputetëve Flamur Noka, Bledion Nallbati dhe Gazment Bardhi ka vënë në rrezik edhe jetën e atyre që ishin në sallë në 30 shtator, duke bllokuar foltoren dhe duke goditur me sende të forta.

Gjithashtu shkak për përjashtimin e tyre është edhe djegia e karrigeve jashtë sallës, si dhe konflikti i Nokës, Bardhit dhe Nallbatit me deputetët Petro Koçi dhe Erion Braçe nga mazhoranca.

PS kërkoi përjashtimin e deputetëve: Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledion Nallbati, Edi Paloka, Saimir Korreshi, Lefter Gështenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho./ata