Duke filluar nga 1 janari i vitit 2025, Shqipëria pritet të jetë pjesë e Zonës Unike të Pagesave në Euro. Drejtoresha e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, Kontabilitetit dhe Financës në Bankën e Shqipërisë, Ledia Bregu, u shpreh se Presidentja e Komisionit Evropian ka pohuar se vendi ynë bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, do të anëtarësohen në SEPA brenda këtij viti dhe nga 1 janari do të mund të kryhen pagesa përmes këtij sistemi zyrtarisht.
“Reagim zyrtar i institucionit që e jep këtë dritë jeshile nuk ka ardhur ende. Ne forumin e Bled-it para pak javësh, Von Der Leyen përmendi se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia, deri në dhjetor do të jenë në zonën SEPA”– deklaroi Bregu.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, Gert Jan Koopman, në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Evropian ka theksuar se Mali i Zi do të jetë i pari që do të bëhet pjesë, ndjekur më pas nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Në 12 qershor të këtij viti, Banka e Shqipërisë dërgoi pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), aplikimin zyrtar për përfshirjen e vendit tonë në zonën gjeografike të skemave SEPA.
Nga ky anëtarësim, transaksionet financiare ndërkufitare me vendet e tregut evropian do të bëhen më të thjeshta, më të shpejta dhe me kosto më të ulëta. Duke pasur parasysh se Bashkimi Evropian është partner tregtar kryesor i Shqipërisë dhe në kushtet kur rreth 60% e tregtisë kryhet me vendet e BE-së, përfitimet nga krijimi i lehtësirave financiare janë domethënëse për zgjerimin e shkëmbimeve tregtare./Scan