Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi sot se rreth 790 mijë pensionistë në mbarë vendin jetojnë në një varfëri absolute.
Gjatë një konference për mediet, Meta tha se të ardhurat ditore, afërsisht 6.85 dollarë janë shumë më poshtë se kufiri i varfërisë absolute i përcaktuar nga Banka Botërore.
“Një pension mesatar mujor i pleqërisë në zonat urbane është në masën 19 074 lekë në muaj ose i barabartë me 6.9 dollarë në ditë ndërsa një pension mesatar në zonat rurale është në masën 11 505 lekë në muaj ose i barabartë me 4.2 dollarë në ditë”, u shpreh Meta.
Meta foli për shpërndarje tërësisht të pabarabartë dhe diskriminuese të të ardhurave.
“Indeksimi i pensioneve në masën 4.1% nuk është gjë tjetër veçse tallje dhe poshtërimi më i madh që Edi Rama u bën pensionistëve të të gjitha kategorive, të cilëve nga 1 nëntori do t’u shtrenjtohet me 15% produkti bazë ushqimor i tyre, buka. Dyfishimi i pensioneve, për të arritur në mesataren e rajonit është një nga 5 prioritetet kryesore të Partisë së Lirisë”, u shpreh ai.
Sipas tij, më 7 tetor do të protestohet edhe për pensionistët, duke i cilësuar ata si të braktisur dhe nëpërkëmbur nga Qeveria./ata