Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes së Iniciativës Adriatiko Joniane, që u mbajt në Venecia.
Ky Ministerial bashkon Forcat Detare të Shqipërisë, Italisë, Kroacisë, Greqisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi.
“Adriatiku dhe Joni janë hapësirat ku artikulohen interesat strategjike dhe ekonomike të vendit tonë dhe ku kemi nevojë të thellojmë bashkëpunimin civil dhe ushtarak”, deklaroi ministri Vengu.
Sipas tij, strategjia e NATO-s nënvizon gjithashtu rëndësinë parësore të mbarë rajonit tonë për sigurinë kolektive.
Në këtë kontekst, vijoi ministri, Shqipëria angazhohet të investojë në kapacitete detare, sikundër dhe infrastrukturë portuale dhe gatishmëri operacionale përgjatë Korridorit VIII.
“Me homologët e pranishëm ramë dakord se në këtë periudhë kërcënimesh hibride në Lindje dhe në Jug të Aleancës, iniciativa ADRION duhet fuqizuar drejt më shumë ndërveprimi operacional për të shkurajuar çdo kërcënim”, deklaroi ministri Vengu./ata