Zëvendëskryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Evis Kushi dhe anëtarë të komisionit, zhvilluan sot një vizitë monitoruese në Shkollën e Mesme Profesionale për Teknologji, Informacion dhe Komunikim, “Hermann Gmeiner”.

Gjatë kësaj vizite monitoruese u diskutua mbi kurrikulën mësimore të programimit në këtë shkollë, praktikat të cilat zhvillohen si dhe nismat ligjore të cilat mbështesin arsimin profesional.

Drejtoresha e shkollës, Hedie Gjoni, i njohu më nga afër deputetët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në lidhje me investimet në infrastrukturë, sallat me kompjuterë dhe ambientet e posaçme ku nxënësit zhvillojnë punimet e tyre.

Gjithashtu, Gjoni u shpreh edhe për bashkëpunimin e shkollës me sektorin privat, ku nxënësit zhvillojnë praktika profesionale gjatë vitit shkollor si dhe gjatë pushimeve verore.

Ndërsa si prioritet, Gjoni nënvizoi integrimin e vajzave në arsimin profesional.

Zëvendëskryetarja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Evis Kushi, vlerësoi kurrikulën shkollore si dhe u shpreh se së shpejti do të propozojë ndryshime në ligjin për arsimin profesional.

Ndërsa më tej deputetët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, zhvilluan vizita në disa prej klasave, ku bashkëbiseduan me nxënësit dhe u njohën nga afër me arritjet dhe kërkesat e tyre./ata