Në Berlin po mbahet konferenca e radhës në lidhje me Procesin e Berlinit në Bundestag. Kjo konferencë vjen pas asaj të organizuar një vit më parë në Tiranë nga kryetarja e Komisionit të Çështjeve Evropiane.
Temat e trajtuara lidheshin me vazhdimin e reformave dhe forcimit të procesit të Berlinit në rajon. Ndërsa Shqipëria kësaj radhe vjen me një status tjetër, atij të kandidatit zyrtar për integrimin në BE.
Tabaku kërkoi që procesi i integrimit të dalë nga dyert e burokracisë së qeverisë dhe t’u drejtohet qytetarëve. Ajo theksoi se, ky nuk është një proces teorik, por praktik, dhe shqiptarët duan të shohin ndryshime reale. “Reformat janë të domosdoshme dhe duhet të jenë gjithëpërfshirëse për të siguruar progres të qëndrueshëm”, theksoi ajo.
Ajo ngriti gjithashtu shqetësime të mëdha lidhur me mungesën e një reforme të qenësishme zgjedhore, e cila vazhdon të minojë integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri.
Sipas Tabakut, një reformë e gjithanshme zgjedhore është thelbësore për të siguruar zgjedhje të lira dhe transparente, siç rekomandohet nga OSBE-ODIHR prej më shumë se dhjetë vitesh.
Ajo kritikoi hezitimin e qeverisë për të zbatuar këto reforma, që ka penguar përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e standardeve të BE-së.
Tabaku vuri në pah gjithashtu çështjen e korrupsionit të përhapur, duke e përshkruar si “një gjemb në krah” të shoqërise shqiptare.
Ajo bëri thirrje për reforma të vërteta, të cilat janë përjashtuese dhe dypartiake, dhe jo komisione partizane që dështojnë në dhënien e ndryshimeve thelbësore.
“Procesi i Berlinit, argumentoi ajo, duhet të përdoret si një mjet për të nxitur bashkëpunimin, jo si një vegël për interesat partiake”.
“Shqipëria, theksoi ajo, ka nevojë për reforma të vërteta institucionale për të luftuar korrupsionin me efektivitet dhe për të siguruar një rrugë të qëndrueshme drejt integrimit evropian”.
Duke përfunduar fjalimin e saj, Tabaku kërkoi respektimin e parimeve demokratike, nxitjen e bashkëpunimit dhe punimin për një Shqipëri të gatshme për anëtarësim në BE.
“Opozita duhet të trajtohet si një partner në demokraci, jo si një kundërshtar,” deklaroi ajo, duke bërë thirrje për mazhorancën që të respektojë frymën e ligjit dhe të sigurojë që balanca e pushteteve të respektohet./ata