Dy objekte të tjera arsimore shkolla 9-vjeçare “Musine Kokalari” dhe gjimnazi “Myslym Keta”, u përuruan sot në Tiranë, pas rikonstruksionit të plotë, në kuadër të ndërhyrjes së Programit “EU4Schools”, “BE për Shkollat”.

Me rindërtimin apo riparimin e tyre, nxënësit, fëmijët dhe mësuesit kanë lënë pas mësimin me dy turne dhe e kanë nisur vitin e ri shkollor në “shtëpinë e tyre” në mjedise tërësisht bashkëkohore dhe dinjitoze për zhvillimin e procesit mësimor sikurse në vendet e Bashkimit Evropian.

Në ceremonitë e përurimit morën pjesë shefi i Bashkëpunimit pranë Delegacionit të BE-së në Tiranë, Hubert Perr; përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino; kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj; zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga; përfaqësues të institucioneve qendrore & vendore; nxënës, mësues etj.

“Musine Kokalari” dhe “Myslym Keta” janë dy prej 7 objekteve arsimore në Bashkinë e Tiranës, të cilët janë rindërtuar dhe riparuar nga “EU4Schools”. Institucionet e tjera pjesë e projektit “EU4Schools”, janë: Shkolla 9-vjeçare “Emin Duraku”; Shkolla 9-vjeçare “26 Nëntori”; Shkolla 9-vjeçare “Xhezmi Delli”; Gjimnazi me Orientim Gjuhësor “Asim Vokshi”
dhe Kopshti Nr. 41 “Luledielli”.

Falë ndërhyrjes së “EU4Schools” në institucionet arsimore të Bashkisë Tiranë, kanë përfituar drejtpërdrejtë 5,200 nxënës dhe fëmijë, si dhe 270 mësues.

Bazuar në parimet bazë të “Rindërtojmë më mirë” dhe “Rindërtojmë së bashku”, Programi “EU4Schools” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) me 75 milion euro dhe zbatohet nga UNDP Shqipëri në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare.

Projekti synon rindërtimin ose riparimin e 63 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit, 2019-të, me përfitues të drejtpërdrejtë 25,000 nxënës, mësues dhe fëmijë. Deri tani, në kontekstin e këtij programi kanë përfunduar 57 objekte arsimore./ata