Komisioni Evropian ka vendosur të shtyjë prezantimin e Sistemit të Hyrjes/Daljes (EES), që është regjistri i automatizuar i bllokut për udhëtarët me qëndrim të shkurtër që pritej të hynte në fuqi më 10 nëntor.
Njoftimi u bë nga Komisionerja për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, në përfundim të takimit të ministrave të brendshëm të BE-së, ku u diskutua për këtë çështje.
“10 Nëntori nuk është më një mundësi,” u tha Johansson gazetarëve, duke vënë në dukje se Gjermania, Franca dhe Holanda ishin të papërgatitura për aplikimin e sistemit. Ajo u shpreh se për momentin nuk ka një afat kohor të ri.
Johannson foli për “disa shqetësime kur bëhet fjalë për qëndrueshmërinë e sistemit”. Sipas saj, Bashkimi Evropian mund ta prezantojë EES në disa faza, “me një hyrje hap pas hapi në sistem, jo të gjitha pikat e kalimit kufitar në të njëjtën kohë.” Megjithatë, kjo qasje nuk parashikohet në rregulloren aktuale dhe do të kërkoheshin ndryshime në tekstin ligjor për ta realizuar.
EES është një reformë gjithëpërfshirëse që daton që nga viti 2016 dhe është vonuar vazhdimisht. Qëllimi kryesor i strukturës është të modernizojë kontrollet në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe të zëvendësojë vulosjen tradicionale fizike të pasaportave. Ajo do të zbatohet për qytetarët jashtë BE-së që vijnë në bllok për vizita, pushime ose udhëtime pune dhe qëndrojnë për një kohëzgjatje totale deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore.
Sapo sistemi të fillojë të funksionojë, vizitorët do të duhet të japin pasaportat e tyre në mbërritje, së bashku me marrjen e një fotografie të fytyrës dhe skanimin elektronik të gjurmëve të gishtave. Të gjitha hyrjet dhe daljet nga Zona Shengen pa pasaportë do të regjistrohen.
Mbledhja e të dhënave biometrike dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale kanë për qëllim të ndihmojnë autoritetet të zbulojnë ata që kalojnë afatin e vizave afatshkurtëra dhe ata që kryejnë mashtrime identiteti.
Të gjitha shtetet anëtare, përveç Qipros dhe Irlandës, dhe katër vende të asociuara në Shengen, si Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra, do të marrin pjesë në skemë. Ndërsa pasaportat në Qipro dhe Irlandë do të vazhdojnë të vulosen manualisht./Scan