Qeveria e Kosovës ka mbajtur sonte mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale të financuara nga shteti duke filluar nga muaji tetor 2024.

Pensionet bazike sociale, nga shuma aktuale prej 100 euro rritet në shumën prej 120 euro, pensioni kontributdhënës I – nga 182 në 218.40 euro, pensioni kontributdhënës II – nga 198 në 237.60 euro, pensioni kontributdhënës III – nga 214 euro në 256.80 euro.

Pensioni kontributdhënës IV do të rritet nga 265 në 318 euro, skema e fëmijëve me aftësi të kufizuar 1-18-vjeç, nga 100 në 120 euro, pensionet e aftësisë së kufizuar – nga 100 euro në 120 euro, pensioni për personat e verbër I – nga shuma aktuale prej 125+125 euro në shumën 150+150 euro.

Pensioni për personat e verbër II – nga shuma aktuale 125 euro në 150 euro,  pensioni për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë I – nga 150+150 euro në 180+180 euro, pensioni për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë II – nga 150 euro në 180 euro.

Pensioni familjar – nga shuma aktuale 100 euro në 120 euro, pensioni invalidor i punës nga 100 euro në 120 euro, pensioni i parakohshëm për Trepçën – nga 126 euro në 151.20 euro.

Qeveria ka aprovuar gjithashtu në mbledhje, veç të tjerave, edhe kërkesën e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale e datës 9 tetor 2024 për konfirmimin e interesit të përgjithshëm publik në ushtrimin e aktiviteteve përkatëse nga ndërmarrja publike KEK; 200 mijë euro ndihmë për rimëkëmbje nga vërshimet në Bosnjë-Hercegovinë; programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2024-2025; si dhe 200 mijë euro për Olimpiadën Evropiane të Vajzave në Matematikë 2025, organizuar nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës.

/KosovaPress/